ryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe ai i Shqipërisë, Edi Rama, kanë udhëtuar të mërkurën drejt Malit të Zi, ku të enjten, nga ora 9:30, do të mbahet Samiti i Procesit të Berlinit. Pjesëmarrja e dy liderëve në të njëjtin organizim vjen në një kohë kur zyrtarë të Lëvizjes Vetëvendosje kanë mbështetur protestat kundër Ramës në Tiranë, duke kërkuar edhe dorëheqjen e tij.
Zyra e Kurtit ka konfirmuar pjesëmarrjen e tij në samit, duke bërë të ditur se do të zhvillojë edhe takime bilaterale me përfaqësues të institucioneve ndërkombëtare dhe liderë shtetesh. Megjithatë, nuk dihet nëse do të ketë një takim të drejtpërdrejtë Kurti-Rama.
“Në kuadër të Samitit, kryeministri Kurti do të zhvillojë takime bilaterale me drejtues dhe përfaqësues institucionesh ndërkombëtare, sikurse me zyrtarë të lartë dhe krerë shtetesh”, u tha në njoftim.
Ndërkohë, disa figura të Vetëvendosjes kanë reaguar publikisht kundër kryeministrit shqiptar. Dejona Mihali, një prej personave më të afërt të Kurtit, shkroi:
“U pëlqen me qenë me krahun e oligarkisë, tani kanë humbur krahun e rinisë”.
Edhe Elvis Hoxha kritikoi policinë shqiptare, duke i cilësuar njësitet speciale si “palombarët e narko-shtetit”. Hysamedin Feraj shkroi: “Edhe kafshët janë më njerëzore se Rama dhe policët e tij”.




