Vrasje nga pakujdesia dyshohet se ishte rasti i 27-vjeçarit Agon Zejnullahu në Lipjan. Pesë zyrtarë policorë, në mesin e të cilëve edhe një rreshter po hetohen për këtë incident. Ata u suspenduan dhe u ndaluan për 48 orë me urdhër të Prokurorit të Shtetit.
Brenda afatit ligjor, Prokuroria Themelore në Prishtinë do të ushtrojë kërkesën për masën e sigurisë dhe pritet të konfirmohet nëse vepra do të cilësohet si ‘Vrasje nga pakujdesia’.
I. N, rreshter në Stacionin Policor Lipjan, L. Rr, A. K dhe A. R, zyrtarë policorë të këtij stacioni, si dhe E. B, zyrtar në Stacionin Policor Ferizaj, rrezikojnë paraburgimit.
Nëse do të hetohen për këtë vepër, si e parasheh dënimin Kodi Penal i Republikës së Kosovës?
Sipas nenit 175, kushdo që e privon nga jeta personin tjetër nga pakujdesia, dënohet me burgim prej gjashtë muaj deri në pesë vjet burgim.
Si parashihet përgjegjësia penale?
Kryesi i veprës penale është penalisht përgjegjës nëse është mendërisht i aftë dhe veprën penale e ka kryer me dashje apo nga pakujdesia, ndërsa dijenia, dashja, pakujdesia ose qëllimi i kërkuar si element i veprës penale mund të nxirret nga rrethanat faktike.
Sipas Kodit, vepra penale mund të kryhet me pakujdesi të vetëdijshme apo të pavetëdijshme.
“Personi vepron me pakujdesi të vetëdijshme kur është i vetëdijshëm se pasoja e ndaluar mund të shkaktohet si rezultat i veprimit ose të mosveprimit të tij, por me mendjelehtësi mendon se ajo nuk do të shkaktohet apo se ai do të mund ta parandalojë shkaktimin e saj.
Personi vepron me pakujdesi të pavetëdijshme kur nuk është i vetëdijshëm se pasoja e ndaluar mund të shkaktohet si rezultat i veprimit ose mosveprimit të tij edhe pse në rrethanat dhe sipas vetive të tij personale ka mund të ishte apo do duhej të ishte i vetëdijshëm për këtë mundësi.” – thuhet në nenin 23.
Kujtojmë se deri tash, ministri në detyrë i Brendshëm, Xhelal Sveçla dhe drejtori i Policisë, Gazmend Hoxha, nuk e kanë thënë asnjë fjalë për këtë incident të rëndë./Klankosova.tv