Aktorja e njohur turke, Özge Borak, e cila aktualisht luan rolin e Salkımit në serialin e shumëndjekur “Kızılcık Şerbeti”, ka tërhequr vëmendjen me deklaratat e fundit për jetën e saj personale.
E ftuar në emisionin e Gökhan Çınar, aktorja ka folur hapur për ndryshimet që ka përjetuar ndër vite, duke u ndalur edhe te dy martesat e saj të mëparshme me aktorët Bülent Şakrak dhe Ata Demirer.
Borak, e cila ishte e martuar me Bülent Şakrak nga viti 2006 deri më 2010, pranoi se gjatë asaj periudhe shpesh i kishte lënë në plan të dytë nevojat dhe ndjenjat e saj.
“Atëherë ekzistonte një Özge që zgjidhte t’i shpërfillte nevojat e veta. Isha shumë e zemëruar me gjithçka. Ndoshta nuk e shfaqja zemërimin, por e ndieja vazhdimisht brenda vetes”, u shpreh ajo.
Aktorja tregoi se sot ndihet shumë më e qetë, pasi ka mësuar të vendosë kufij dhe të përballet me emocionet e saj.
Por, vëmendje të veçantë morën deklaratat për ish-bashkëshortin tjetër, Ata Demirer, me të cilin ishte e martuar nga viti 2012 deri më 2014.
Borak sqaroi një deklaratë të vjetër, e cila ishte interpretuar sikur ajo të kishte thënë se ishte martuar vetëm për të mos e lënduar apo zhgënjyer dikë.

