Kriza politike në Kosovë po vazhdon, por rrjetet sociale duket se e kanë gjetur kandidatin e tyre për ta zgjidhur të paktën njërën pjesë të saj: Besim Dinën.
Pas zgjedhjeve të 7 qershorit, të tretat parlamentare në më pak se dy vjet, vendi vazhdon të jetë në ngërç institucional. Vetëvendosje doli sërish e para me 53 mandate, por procesi i konstituimit të Kuvendit nuk është përmbyllur, ndërsa çështja e presidentit mbetet një prej pikave ku kërkohet marrëveshje më e gjerë mes partive.
Madje, ditët e fundit edhe vetë Albin Kurti ka folur për nevojën që presidenti i ardhshëm të jetë një figurë konsensuale, me mbështetje sa më të gjerë, ndërsa LDK ka shprehur gatishmëri për të kontribuar në gjetjen e një emri të pranueshëm për palët.
E teksa politika vazhdon të kërkojë formulën, TikTok duket se ka një propozim më pak tradicional.

Prej disa ditësh në platformë po qarkullojnë postime ku aktori, humoristi dhe moderatori Besim Dina propozohet si një president “konsensual”. Ideja, deri tani krejtësisht në kuadër të rrjeteve sociale dhe jo si kandidaturë zyrtare, ka prodhuar mijëra pëlqime dhe qindra komente.

