Ish-presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe ish-kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, zhvilluan një takim privat në Beograd, vetëm pak ditë pas disfatës zgjedhore të listës së udhëhequr nga Vuçiqi.
Takimi mes dy politikanëve u mbajt në shtëpinë e babait të Vuçiqit, në periferi të kryeqytetit serb. Një pamje nga kjo vizitë u publikua përmes një videoje në rrjetin social Instagram, e shoqëruar me mbishkrimin: “Viktori dhe unë. Një histori për miqtë”.
Në pamjet e publikuara, Vuçiq e ka cilësuar udhëheqësin hungarez si “mik të madh” dhe “vëlla”, duke reflektuar mbi zhvillimet e fundit politike në të dyja vendet.
“Ne të dy humbëm zgjedhjet së fundmi, por nuk e humbëm dinjitetin, krenarinë apo besimin. Ne do të kthehemi”, deklaroi Vuçiq gjatë videos.

Nga ana e tij, Orban e falënderoi ish-presidentin serb për mikpritjen, duke theksuar se “miqtë mbeten pranë njëri-tjetrit edhe në kohë të vështira”. Ish-kryeministri hungarez konfirmoi mbështetjen e tij personale për Vuçiqin dhe u shpreh i përkushtuar për ruajtjen e marrëdhënieve strategjike mes Serbisë dhe Hungarisë.
Megjithëse fjalia e Vuçiqit “Do të kthehemi” u dha si sinjal për të ardhmen e tyre politike, asnjëri prej tyre nuk paralajmëroi ndonjë plan apo afat konkret se si synojnë të rikthehen në pushtet.
Aleksandar Vuçiq dha dorëheqje nga posti i presidentit të Serbisë më 27 shtator për të udhëhequr fushatën e listës “Serbia e Bashkuar” në zgjedhjet e parakohshme. Më 25 tetor, ai pranoi publikisht humbjen përballë listës së udhëhequr nga studentët. Agjencia e lajmeve Associated Press e cilësoi këtë rezultat si një goditje të fortë pas 14 vitesh sundimi absolut të Vuçiqit. Ndërsa, Viktor Orban humbi zgjedhjet parlamentare më 12 prill, duke i dhënë fund sundimit të tij 16-vjeçar. Fitorja bindëse e partisë “Tisza” të Péter Magyar e kaloi Orbanin në opozitë. Ai refuzoi të merrte mandatin e deputetit për t’u përqendruar në ristrukturimin e partisë “Fidesz”, ku u rizgjodh si kryetar në muajin qershor