Elon Musk i ka dhënë një mbështetje të tërthortë lideres së së djathtës ekstreme franceze, Marine Le Pen, në prag të zgjedhjeve presidenciale vendimtare që do të mbahen vitin e ardhshëm në Francë.
“Ajo është shpresa e fundit e Francës “, shkroi Musk të mërkurën në platformën sociale X, në një postim që i referohej rezultateve pozitive të sondazheve për kandidaten presidenciale të së djathtës ekstreme, Marine Le Pen.
Le Pen nisi zyrtarisht javën e kaluar kandidimin e saj të katërt për presidente, pasi një gjykatë apeli i dha të drejtën të garojë, pavarësisht se ishte shpallur fajtore për përvetësim fondesh të Parlamentit Europian. Ajo vijon t’i kundërshtojë këto akuza dhe e ka çuar çështjen për shqyrtim në një shkallë më të lartë gjyqësore.
Elon Musk, i cili është gjithashtu pronar i kompanive Tesla dhe SpaceX, ka komentuar vazhdimisht politikën europiane përmes rrjeteve sociale, duke shprehur mbështetje për parti dhe kandidatë të krahut të djathtë dhe të së djathtës ekstreme.
Në muajin maj, ai deklaroi se partia “Restore Britain” e Rupert Lowe ishte e vetmja forcë politike që mund të “shpëtonte Britaninë”, ndërsa në disa raste ka shpërndarë edhe postime të aktivistit britanik të së djathtës ekstreme, Tommy Robinson.
