Anijet luftarake ruse kanë lundruar vazhdimisht në drejtim të anijeve daneze, i kanë drejtuar armët ndaj anijeve luftarake daneze dhe kanë penguar sistemet e navigimit në ngushticat e Danimarkës që lidhin Detin Baltik me Detin e Veriut, njoftoi të premten shërbimi i inteligjencës së Mbrojtjes daneze.
Ngjarje të tilla rrezikojnë përshkallëzim të paqëllimshëm, tha ai.
Rajoni i Baltikut mbetet në gjendje alarmi pas incidenteve që përfshijnë këputjen e kabllove nënujore, defekte në tubacionet e gazit, shkelje të hapësirës ajrore dhe shfaqje dronësh qëkurse nisi pushtimi rus i Ukrainës në vitin 2022, i cili rriti tensionet mes Moskës dhe Perëndimit.
Danimarka, një mbështetëse e fortë e Ukrainës në luftën e saj me Rusinë, ka rritur buxhetin ushtarak dhe është angazhuar të blejë armë precize me rreze të gjatë veprimi, të afta për të goditur objektiva brenda territorit rus.
“Ne i kemi parë disa incidente në ngushticat daneze, ku helikopterët e forcës ajrore daneze dhe anijet luftarake janë vënë në shënjestër të radarëve gjurmues dhe ndaj tyre anijet luftarake ruse i kanë drejtuar armët”, tha drejtori i Shërbimit të Inteligjencës së Mbrojtjes së Danimarkës, Thomas Ahrenkiel, në një konferencë shtypi.
Ai tha se anije ruse kishin lundruar në drejtim ballor të anijeve daneze gjatë kalimit të tyre përmes ngushticave.
Ahrenkiel shtoi se një anije luftarake ruse ka qenë e ankoruar në ujërat daneze për më shumë se një javë, duke paralajmëruar ndërhyrje të mundshme nga Moska nëse Danimarka përpiqet ta kufizojë lëvizjet e “flotës në hije” të cisternave të Rusisë, të përdorura për t’i anashkaluar sanksionet perëndimore ndaj eksportit të saj të naftës, të vendosura për shkak të luftës në Ukrainë.
