Rusia mund të shpërbëhet brenda dy vjetësh si pasojë e luftës kundër Ukrainës dhe kostove gjithnjë e më të mëdha që po rëndojnë mbi vendin.
Kështu vlerëson gjenerali rus në pension, Leonid Ivashov, i cili paralajmëron se vazhdimi i konfliktit mund ta çojë shtetin rus drejt një krize ekzistenciale.
Në një intervistë për mediat britanike, Ivashov tha se dëmet e shkaktuara nga lufta janë të jashtëzakonshme dhe se barra ekonomike dhe njerëzore po bëhet gjithnjë e më e rëndë për qytetarët rusë.
Ai parashikon se Rusia mund të shpërbëhet deri në vitin 2027 ose 2028, nëse nuk ndërmerren masa urgjente për ndryshimin e kursit politik, raportojnë mediat.
“Gjithçka po shkon sipas planit, por jo sipas planit rus. Dëmet që ka shkaktuar lufta janë të jashtëzakonshme. Përfundimi im është se Rusisë do t'i vijë fundi në vitin 2027 ose 2028. Ajo do të shpërbëhet”, deklaroi gjenerali.
Ivashov, 83 vjeç, i cili më herët ka shërbyer në strukturat ushtarake ruse dhe ka drejtuar Drejtorinë për Bashkëpunim Ndërkombëtar Ushtarak në Ministrinë e Mbrojtjes, bëri thirrje për një ndryshim paqësor të pushtetit në Moskë.
Ai vlerësoi se presidentit Vladimir Putin duhet t'i ofrohet një mundësi për t'u larguar nga pushteti pa dhunë, duke paralajmëruar se një kryengritje do të kishte pasoja të rënda.
