Ish-prokurori i posaçëm Jack Smith, sipas raportimeve, ka ndjekur komunikimet private dhe telefonatat e pothuajse një duzine senatorësh republikanë si pjesë e hetimit të tij për trazirat e 6 janarit 2021 në Capitol, mëson “Fox News Digital”.
Jack Smith ka qenë Kryeprokuror në Gjykatën Speciale e që ngriti një aktakuzë kontroverse kundër krerëve të UÇK-së. Ai u akuzua për qasje politike, marrje të provave nga Serbia dhe bashkëpunim me dëshmitarë të infiltruar nga Serbia.
Një dokument, i shqyrtuar nga “Fox News Digital”, zbulon se Smith dhe ekipi i tij “Arctic Frost”, që heton ngjarjet e 6 janarit, dyshohet se kanë ndjekur telefonatat e senatorëve republikanë Lindsey Graham nga Karolina e Jugut, Marsha Blackburn nga Tenesi, Ron Johnson nga Uiskonsini, Josh Hawley nga Misuri, Cynthia Lummis nga Vajoming, Bill Hagerty nga Tenesi, Dan Sullivan nga Alaska, Tommy Tuberville nga Alabama dhe të kongresistit republikan Mike Kelly nga Pensilvania.
Dokumenti, i zbuluar së fundmi nga drejtori i FBI-së, Kash Patel, dhe i siguruar ekskluzivisht nga “Fox News Digital”, mban titullin “CAST Assistance” dhe daton më 27 shtator 2023. “CAST” i referohet ekipit të analizës celulare të FBI-së (“Cellular Analysis Survey Team”).
Dokumenti, në të cilin janë fshirë emrat e agjentëve të përfshirë, ka të shënuar numrin e rastit si “ARCTIC FROST—Election Law Matters—SENSITIVE INVESTIGATIVE MATTER—CAST.”
Në të thuhet se një agjent special i FBI-së, pjesë e ekipit të Smith-it, “ka kryer një analizë paraprake të të dhënave telefonike” që lidhen me këta ligjvënës.
Një zyrtar i FBI-së i tha “Fox News Digital” se Smith dhe ekipi i tij, gjatë ndjekjes së senatorëve, kanë qenë në gjendje të shohin cilat numra janë telefonuar, vendndodhjen e origjinës së telefonatës dhe vendin ku ajo është pranuar.
Një burim tha se këto telefonata, me shumë gjasë, lidhen me votimin për certifikimin e zgjedhjeve të vitit 2020.
