Zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm i Italisë, Antonio Tajani, tha se vendi i tij është i vendosur të mbështesë procesin e anëtarësimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian (BE).
Tajani priti në rezidencën shtetërore Villa Madama në Romë takimin e “Grupit të Miqve të Ballkanit Perëndimor” me vendet e Ballkanit Perëndimor. Në takim morën pjesë ministra dhe zëvendësministra nga Austria, Kroacia, Greqia, Çekia, Sllovakia, Sllovenia, Hungaria, Shqipëria, Bosnjë e Hercegovina, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Kosova dhe Serbia.
Në fjalimin e tij në hapje të takimit, Tajani theksoi se zgjerimi i BE-së drejt Ballkanit Perëndimor është “prioritet absolut politik” për Italinë, raporton Anadolu .
Ministri italian bëri të ditur se në takimin e sotëm do të miratojnë një dokument politik që do t’i paraqitet Brukselit me synim përshpejtimin e procesit të zgjerimit.
