Izraeli beson se Irani mund të rimarrë uraniumin e pasuruar të varrosur në një nga tri objektet e goditura nga forcat amerikane muajin e kaluar. Këto zhvillime vijnë në vazhdën e tensioneve në rritje pas “Operacionit Midnight Hammer” të realizuar më 22 qershor.
Në një konferencë për gazetarët në Uashington, një zyrtar i lartë izraelit, i cili kërkoi të mbetet anonim, tha se inteligjenca tregon se një pjesë e madhe e uraniumit të pasuruar është varrosur në Isfahan, një nga objektet që u godit nga raketat lundrimi të lëshuara nga nëndetëset amerikane.
Megjithatë, ai theksoi se rikuperimi i atij materiali do të ishte jashtëzakonisht i vështirë, dhe se çdo përpjekje iraniane për ta nxjerrë do të zbulonte operacionin dhe do të provokonte sulme të reja izraelite, raporton BBC.
Nga ana tjetër, presidenti amerikan Donald Trump ka këmbëngulur se sulmet e SHBA-së i kanë “shkatërruar” objektet bërthamore iraniane, ndonëse agjencitë e inteligjencës amerikane nuk janë të një mendimi.
“Siç e ka thënë shumë herë Presidenti Trump, Operacioni “Midnight Hammer” i shkatërroi plotësisht objektet bërthamore të Iranit”, tha zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Anna Kelly, në një deklaratë për mediat amerikane.