( Radio Evropa e Lirë ) – Më 1867, një transaksion i jashtëzakonshëm e ka ndryshuar hartën e Amerikës së Veriut: Rusia ua ka shitur Shteteve të Bashkuara territorin e Alaskës për 7.2 milionë dollarë.
Përtej përfshirjes në shumë mite, legjenda apo thashetheme ndër breza, kjo ka qenë një marrëveshje prej të cilës kanë përfituar të dyja palët.
Lindja e ”Amerikës ruse”
E ashtuquajtura “Amerika ruse” ka nisur të marrë formë shumë përpara vitit 1867. Eksploruesit rusë dhe tregtarët e gëzofëve kanë arritur në Alaskë në fillim të shekullit 18 – kryesisht gjatë Ekspeditës së Dytë të Kamçatkës më 1741, nën drejtimin e Vitus Beringut dhe Aleksei Çirikovit.
Udhëtimet e tyre u kanë hapur rrugën tregtarëve, sidomos atyre që kanë qenë në kërkim të lëkurave të shtrenjta të vidrave dhe që kanë guxuar t’i vizitojnë brigjet e Paqësorit të Amerikës së Veriut.
Në vitet 1760 dhe 1770, prezenca ruse ka qenë mirë e vërejtshme. Një mori ngjarjesh – nisur nga krijimi i pikave tregtare në vendet sikurse Unalaska dhe Kodiaku, e deri te përleshjet mes grupeve indigjene, sikurse ato mes aleutsve dhe tlingitëve – kanë vënë më shumë dritë mbi realitetin e ashpër të zgjerimit kolonial.
Grigory Shelikhov ka qenë figura kryesore në këto vendbanime të hershme ruse dhe në ekspeditat tregtare.
Më vonë, nën lidershipin e Alexander Baranovit, Kompania Ruso-Amerikane e ka konsideruar kontrollin e Alaskës nga Sitka (atëbotë e njohur si Novo‑Arkhangelsku), dhe ka krijuar rrugë tregtare, ka ndërtuar pika të fortifikuara, dhe i ka dërguar atje priftërinjtë ortodoksë, të cilët kanë ndërtuar kisha dhe kanë nisur misione në mesin e komuniteteve lokale.
Pse Rusia e shiti Alaskën?
Në mesin e shekullit 19-të, Perandoria Ruse nuk e ka parë Alaskën si aset strategjik, mirëpo si përgjegjësi në rritje. Kostoja e mirëmbajtjes së një territori aq të largët, sidomos pas humbjes së madhe në Luftën e Krimesë, ka qenë barrë e rëndë për pushtetin.
Për më shumë, prezenca e anijeve britanike në Paqësor, i ka rritur shqetësimet se mbrojtja e “Amerikës ruse” në ndonjë konflikt të ardhshëm do të kthehet në mision të pamundur.
Çfarë i ka shtuar edhe më shumë benzinë zjarrit kanë qenë vështirësitë financiare, për të cilat e ka ngritur alarmin ministri i atëhershëm i Financave, Mikhail Reutern.
Ai ka paralajmëruar se mirëmbajtja e Kompanisë Ruso-Amerikane, e cila e ka menaxhuar koloninë, nënkuptonte ndarjen e shumë subvencioneve – fonde të cilat Qeveria e atëhershme nuk kishte kapacitet t’i ndante.
Nisja e negociatave
Diskutimet për fatin e Alaskës nuk kanë vonuar. Më 1853, guvernatori i përgjithshëm i Siberisë Lindore, Nikolay Muravyov‑Amursky, ka sugjeruar se Rusia përfiton më shumë nëse ia shet Alaskën ndonjë vendi mik – sikurse ishin Shtetet e Bashkuara – sesa ta mbronte atë dobët apo ta humbte në rast të ndonjë krize.
Në mesin e viteve 1860, urgjenca financiare dhe parashikimet strategjike kanë rezultuar në këtë përfundim.
Në një takim të posaçëm të zhvilluar më 16 dhjetor 1866, ishte përfshirë cari Aleksandri II, vëllai i tij, duka i madh Konstantini, ministri i Jashtëm, Alexander Gorchakov, ministri i Financave, Reutern, dhe i dërguari rus, Eduard de Stoeckl. Ata janë pajtuar në parim për shitjen e territorit dhe jo për mbajtjen e tij, për shkak të barrës financiare.
Arritja e marrëveshjes