Qyteti autonom spanjoll i Ceutës është paralizuar pas mbërritjes masive të dhjetëra mijëra migrantëve nga Maroku, duke shkaktuar frikë dhe pasiguri te banorët.
Shumica e dyqaneve kanë mbetur të mbyllura, buka e freskët është bërë e vështirë për t’u gjetur, ndërsa autoritetet kanë anuluar edhe festimet tradicionale të fundjavës, pasi po përpiqen të rikthejnë kontrollin e situatës.
Në rrugën kryesore të qytetit, Calle Real, aktiviteti i zakonshëm është zëvendësuar nga grupe migrantësh të mbledhur në rrugë, ndërsa shumë biznese kanë ulur qepenat. Në qendrën e qytetit, ku jetojnë rreth 84 mijë banorë, të hapura kanë mbetur vetëm disa barnatore dhe një restorant i një zinxhiri të njohur.
Konfederata e Biznesit në Ceuta u ka bërë thirrje pronarëve të dyqaneve të mos rihapin aktivitetet derisa të garantohet siguria.
Sipas burimeve shëndetësore, shërbimet mjekësore janë nën presion të madh, me rastet më të shpeshta që lidhen me hipotermi, sulme ankthi dhe fraktura.
“Po na mbaron buka. Sot nuk kishte bukë të freskët sepse furrat janë mbyllur”, tha punëtori i pastrimit të qytetit, Miguel Ángel Campana për AFP. Ai shprehu shqetësimin e disa banorëve se migrantët mund të trokasin në dyer duke kërkuar ujë apo ushqime.
Autoritetet lokale vlerësojnë se rreth 60 mijë persona kanë hyrë ilegalisht nga Maroku në Ceuta që nga orët e para të së enjtes, shumë prej tyre duke notuar pranë zonës kufitare. Qeveria spanjolle ka njoftuar se më shumë se 37 mijë e 500 migrantë janë kthyer tashmë në Marok.
