Një përplasje verbale mes ish-presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe një gazetari është regjistruar sot në korridoret e Kuvendit të Serbisë, pasi ky i fundit e pyeti atë për vëllain e tij, Andrej Vuçiq.
Ngjarja ndodhi pas përfundimit të seancës së sotme të mbledhjes konstituive të parlamentit serb, e cila pritet të vazhdojë nesër në orën 10:00.
Gazetari iu drejtua Vuçiqit me pyetjen: “Vuçiq, ku është vëllai yt Andrej?”.
Ish-presidenti serb iu përgjigj: “Fatkeqësi, është në shtëpi me familjen e tij”.
Pasi gazetari e përsëriti pyetjen, Vuçiq reagoi më ashpër, duke thënë: “Është në shtëpi me familjen e tij. Turp të kesh, ne nuk i kemi ruajtur bashkë delet”.
Pas këtij shkëmbimi, një gazetare tjetër e pyeti nëse do ta përfundonte nesër fjalimin e tij, ashtu siç kishte premtuar.
“Unë gjithmonë i mbaj premtimet e mia”, u përgjigj Vuçiqi, para se të largohej nga korridori i Kuvendit.
Debate edhe për kandidatin e Listës Studentore
Ndërkohë, seanca e sotme parlamentare u shoqërua edhe me debate lidhur me titullin akademik të kandidatit të Listës Studentore, Aleksandar Çupiq.
Deputetët e grupit parlamentar “Aleksandar Vuçiq – Serbia fiton” pretenduan se Çupiq ishte prezantuar gabimisht një ditë më parë si profesor universitar, ndonëse, sipas tyre, titulli i tij është docent.
Në fund të punimeve, përfaqësuesi i autorizuar i Listës Studentore, Jugoslav Gashiq, njoftoi se grupi i tij parlamentar kishte vendosur të tërhiqej nga të gjithë folësit e regjistruar për pikën e dytë të rendit të ditës.
Sipas tij, ky vendim synonte shkurtimin e debatit dhe krijimin e mundësisë që zgjedhja e kryetarit të Kuvendit të bëhej sa më shpejt.
Në anën tjetër, kreu i grupit parlamentar “Aleksandar Vuçiq – Serbia fiton” deklaroi se deputetët e këtij grupi do t’i përfundonin fjalimet deri nesër në orën 13:00, duke hapur kështu mundësinë që votimi për kryetarin e Kuvendit të mbahej gjatë pasdites.
Në përfundim të seancës, deputetët e Listës Studentore ngritën edhe çështjen e shkeljes së Rregullores së punës së Kuvendit.
Vuçiq u përgjigj se gjatë ditës së nesërme të gjithë duhet ta kenë mundësinë për të marrë fjalën.