Në fjalën e saj në Parlamentin Europian të martën, Komisionerja për Zgjerimin, Marta Kos, vuri në pah ecurinë e vendeve të Ballkanit Perëndimor në rrugën drejt Bashkimit Europian, duke theksuar veçanërisht zhvillimet me Shqipërinë.
Kos deklaroi se Shqipëria ka bërë një hap të rëndësishëm përpara pas përmbushjes së standardeve të përkohshme për sundimin e ligjit (IBAR), çka i hap rrugën vendit për të nisur procesin e mbylljes së kapitujve të negociatave. Ajo nënvizoi megjithatë se mbetet ende shumë punë për t’u bërë në kuadër të reformave të kërkuara nga BE.
Sipas saj, aktualisht ekziston një “dritare mundësie” për përshpejtimin e procesit të zgjerimit, ndërsa Komisioni Europian është i gatshëm të ecë përpara me vendet e rajonit, për sa kohë ato vijojnë reformat dhe përafrohen me politikat e Bashkimit Europian.
Kos theksoi gjithashtu se procesi i zgjerimit mbetet i bazuar në meritë dhe se mbështetja e institucioneve europiane do të jetë e fortë për vendet që tregojnë progres të qëndrueshëm në rrugën e integrimit.
Fjala e Marta Kos:
Vetëm dje, siç e dëgjuam, mbyllëm përkohësisht edhe dy kapituj të tjerë me Malin e Zi, duke e çuar numrin e kapitujve të mbyllur në rreth gjysmën e tyre. Përparimi i Malit të Zi ka bërë që Këshilli të nisë gjithashtu hartimin e traktatit të anëtarësimit të tij, i pari pas 17 vitesh. Ky do të jetë një brez i ri traktatesh anëtarësimi. Këto janë hapa që nuk i kemi parë që nga koha kur Kroacia negocionte anëtarësimin.
Edhe Shqipëria ka bërë së fundmi një hap të rëndësishëm përpara, duke përmbushur standardet e përkohshme për sundimin e ligjit (IBAR), çka i mundëson vendit të nisë mbylljen e kapitujve. Megjithatë, mbetet ende shumë punë për t’u bërë.
