Në Francë, vendet fqinje si Belgjika, dhe sigurisht në Itali, Mal të Zi, madje edhe në Shqipëri, ku ai lindi 41 vjet më parë, kërkimet për Taulant Tomën janë duke vazhduar.
Arratisja e tij nga burgu i Operas u zbulua nga oficerët një orë e gjysmë pasi shqiptari ishte larguar.
Ishte ora 08:00 e së dielës (7 Dhjetor) dhe dritarja e qelisë së tij kishte një shufër të prerë me sharrë, duke lënë një hapësirë drejtkëndëshe me përmasa 30 me 40 centimetra: shumë e vogël që të futej i burgosuri tjetër, por e mjaftueshme që Taulanti, i cili ishte dobësuar posaçërisht për këtë qëllim, të dilte nga qelia, dhe më pas përdorur një “litar” të bërë me çarçafë të zbriste poshtë.
Ai e kapërceu pengesën e fundit, murin rrethues 6 metra të lartë, me një shfaqje cirku: Taulant Toma sajoi një shkop duke lidhur bishtat e fshesave me shirit ngjitës dhe duke bashkangjitur një grep hekuri, një pajisje mjaftueshëm e fortë për ta mbajtur ndërsa ngjitej.
Arratisja e tij e parë ndodhi në vitin 2009, kur u largua nga burgu i Ternit. I njëjti skenar mbizotëroi: hekura të prerë dhe çarçafë të përdorur si litarë. Shqiptari gjithmonë arrinte t’i pasonte këto arratisje me periudha të gjata fshehjeje.
Kjo zgjati dy muaj, derisa u kap në Casarile, në brendësi të Milanos, dhe u dërgua në burgun e Parmës, një nga mjediset e konsideruara më të sigurta në Itali, ku strehoheshin, për shembull, disa mafiozë të ndaluar nën regjimin e 41 bis.
