Media italiane ka publikuar një lajm duke u referuar nga The Guardian, se Ivanka Trump dhe Jared Kushner, vajza dhe dhëndri i Presidentit të SHBA-së, Donald Trump, kanë blerë ishullin e Sazanit në Shqipëri për mbi një miliard dollarë.
Ky ishull i njohur për bukuritë e tij natyrore dhe historinë ushtarake, ka tërhequr vëmendjen e çiftit, i cili ka planifikuar ta shndërrojë atë në një resort luksoz.
Ishulli i Sazanit, një ish-bazë ushtarake, është pjesë e Parkut Kombëtar Detar Karaburun-Sazan dhe që nga viti 2015 është hapur për vizitorët, ndërkohë që një pjesë e tij vazhdon të ruhet si zonë ushtarake. Gjatë regjimit komunist, ishulli ishte përdorur për stërvitje dhe operacione ushtarake, dhe mbetet ende i mbushur me mbetje bunkerësh dhe tunele, njofton euronews.al.
Negociatat për blerjen e ishullit u zhvilluan pa dijeninë e banorëve dhe parlamentarëve shqiptarë, deri në momentin kur u arrit marrëveshja prej 1.4 miliardë eurosh, e cila u bë publike. Sipas raportimeve, sfida kryesore për projektin është pastrimi i tokës nga minat e pashpërthyera dhe mbetjet ushtarake që ndodhen në ishull.
