Zonja e Parë e Shteteve të Bashkuara, Melania Trump, drejtoi të hënën, 2 mars, një mbledhje të United Nations Security Council në New York, me temë fëmijët dhe arsimin në zonat e konfliktit, në një kohë kur SHBA-të po vijojnë veprimet e tyre ushtarake ndaj Iranit.
Në fjalën e saj, ajo u përqendrua te roli i arsimit për fëmijët në “nxitjen e tolerancës dhe të paqes në botë”.
Kjo është hera e parë që bashkëshortja e një lideri botëror drejton një mbledhje të Këshillit të Sigurimit. Melania Trump e kryesoi takimin në emër të SHBA-ve, e cila mban presidencën e radhës të Këshillit për këtë muaj. Zonja e Parë shprehu gjithashtu ngushëllime për familjet e ushtarakëve amerikanë të rënë në detyrë, pa përmendur në mënyrë të drejtpërdrejtë ndonjë operacion të caktuar ushtarak. “Trimëria dhe përkushtimi i tyre do të kujtohen gjithmonë”, tha ajo.
“Shpreh dëshirat e mia të sinqerta për një shërim sa më të shpejtë dhe të lehtë për të gjithë të plagosurit. Jeni në mendimet dhe lutjet e mia gjatë këtyre kohëve sfiduese”, shtoi ajo.
Trump, e cila në rolin e saj zyrtar angazhohet për çështjet e fëmijëve, deklaroi gjithashtu: “SHBA-të qëndrojnë pranë të gjithë fëmijëve në mbarë botën. Shpresoj që së shpejti paqja të jetë e juaja.”
Plani që ajo të drejtonte mbledhjen ishte njoftuar në fund të muajit të kaluar.
Gjatë takimit, nënsekretarja e përgjithshme e OKB-së, Rosemary DiCarlo, theksoi se “kur shpërthejnë konfliktet, fëmijët janë ndër ata që preken më rëndë”.
