Presidenti i Kroacisë, Zoran Millanoviq, ka deklaruar se pretendimet se Kroacia, Shqipëria dhe Kosova po përgatiten ta sulmojnë Serbinë janë “marrëzira”, duke theksuar se me njerëz që përhapin narrativa të tilla është vështirë të ndërtohen marrëdhënie normale dhe miqësore.
“Kroacia askënd nuk e sheh si armik, dhe shpresoj që as ne askush nuk na sheh seriozisht si armik, përveç atyre që flasin marrëzira se Kroacia, Shqipëria dhe Kosova po përgatiten ta sulmojnë Serbinë. Me njerëz të tillë është vështirë të punohet dhe të ndërtohen marrëdhënie normale e miqësore, të cilat i synojmë”, tha Millanoviq në fjalimin e tij me rastin e shënimit të 35-vjetorit të themelimit të Brigadës së Tretë Gardiste të Ushtrisë Kroate “Kune”, raporton Klankosova.tv.
Ai shtoi se Kroacia dëshiron të ndërtojë raporte paqësore dhe të qytetëruara me fqinjët, në dobi të ndërsjellë.
