Procesi i Dialogut Strategjik ndërmjet Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Serbisë nisi të premten, më 17 korrik në Uashington. Takimin mes zyrtarëve amerikanë dhe serbë e hapi sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio.
Në prag të takimit, ministri i Punëve të Jashtme i Serbisë, Marko Gjuriq, deklaroi, sipas Radio Televizionit të Serbisë (RTS), se do të nënshkruhen dy memorandume – një për bashkëpunim në fushën e energjisë dhe një memorandum mirëkuptimi për bashkëpunim në fushën e arsimit.
Gjuriq tha po ashtu se memorandumi për bashkëpunim në fushën e energjisë “do të hapë perspektiva të reja të rëndësishme për sigurinë energjetike të vendit tonë, pasi parashikon ndërtimin e ndërlidhësve të rinj të gazit”.
“Do të nënshkruajmë edhe një memorandum mirëkuptimi për bashkëpunim në fushën e arsimit, përkatësisht për zgjerimin e programit Fulbright, i cili do të krijojë mundësi të reja për studentët tanë, të rinjtë dhe komunitetin shkencor, si dhe do t’u mundësojë të dy vendeve që së bashku të mbështesin komunitetin akademik dhe zhvillimin e tij”, tha kryediplomati serb.
Siç tha për Radion Evropa e Lirë një ditë më parë Departamenti amerikan i Shtetit, Dialogu Strategjik “paraqet një epokë të re në marrëdhëniet mes dy vendeve”.
“Nëpërmjet këtij dialogu, SHBA-ja dhe Serbia do të punojnë për arritjen e objektivave të përbashkëta, përfshirë paqen dhe stabilitetin rajonal, zgjerimin e lidhjeve në fushën e biznesit dhe arsimit, si dhe ndërtimin e një të ardhmeje më të begatë”, thuhet në përgjigjen e DASH-it dërguar REL-it.
Në përgjigje po ashtu u tha se sekretari Rubio, kishte njoftuar më 6 gusht të vitit të kaluar se SHBA-ja do ta zhvillonte këtë dialog me Serbinë.
Dialogu strategjik, të cilin SHBA-ja e zhvillon me dhjetëra shtete në mbarë botën për të thelluar bashkëpunimin, përfshin një sërë fushash – nga ekonomia dhe siguria deri te politika e jashtme.
Për mundësinë e nisjes së dialogut strategjik me Serbinë u fol në gusht të vitit 2025, por ai nuk u mbajt në atë kohë.
Atëherë u tha se dialogu do të duhej të sillte “një epokë të re” në marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve – duke rigjallëruar lidhjet politike, zgjeruar bashkëpunimin në fushën e biznesit dhe mbrojtjes, si dhe bashkëpunimin në sektorin e energjisë dhe teknologjive të komunikimit.
Serbia në shtator të vitit 2024 ka nënshkruar me SHBA-në marrëveshjen e saj të parë strategjike në fushën e energjisë.
Më pas, në janar të këtij viti, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, deklaroi se SHBA-ja i kishte paraqitur Serbisë dy “kërkesa formale” për të nisur Dialogun Strategjik – njëra me karakter politik dhe tjetra e lidhur me sektorin e energjisë. Megjithatë, ai nuk dha hollësi lidhur me këto kërkesa.
