Shtatë nga prodhuesit më të mëdhenj të naftës në botë kanë njoftuar se do të rrisin prodhimin e tyre “për të mbështetur stabilitetin e tregut të naftës”, vetëm pak ditë pas një rritjeje të ndjeshme të çmimeve, mes frikës në treg se transporti përmes Ngushticës së Hormuzit nuk do të rifillojë së shpejti.
Arabia Saudite, Rusia, Iraku, Kuvajti, Kazakistani, Algjeria dhe Omani vendosën gjatë një takimi virtual më 3 maj për të rritur prodhimin me 188.000 fuçi në ditë në muajin qershor.
Vendimi vjen pasi çmimet e naftës arritën nivelin më të lartë që kur Rusia nisi pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës më 2022, duke shkuar në 126 dollarë për fuçi më 29 prill, teksa The Wall Street Journal raportoi se presidenti amerikan, Donald Trump, u kishte thënë bashkëpunëtorëve të përgatiteshin për një bllokadë “të zgjatur” të porteve iraniane. Që atëherë, çmimi paksa.
“Vendet do të vazhdojnë të monitorojnë nga afër dhe të vlerësojnë kushtet e tregut, në përpjekjet e tyre të vazhdueshme për të mbështetur stabilitetin e tregut”, u tha në një deklaratë të Organizatës të Shteteve Eksportuese të Naftës (OPEC+).
Megjithatë, edhe pse ky hap mund të sjellë një lehtësim të pjesshëm, ai nuk i ndryshon shkaqet kyç të çmimeve aktuale.
Bllokada e SHBA-së po pengon Iranin të transportojë naftë drejt Kinës, duke shtuar presionet mbi çmimet e larta, që u rritën për shkak të bllokadës iraniane në Ngushticën e Hormuzit, duke ndaluar edhe shtetet e tjera në Gjirin Persik që të dërgojnë furnizime me naftë te klientët në mbarë botën.
Bllokada amerikane ndaj porteve iraniane nisi më 13 prill, pasi bisedimet në Islamabad mes SHBA-së dhe Iranit dështuan të prodhonin një marrëveshje për përfundimin e luftës.
