Parlamenti i ri i Izraelit ka nisur zyrtarisht punën këtë të martë, në një situatë të tensionuar politike, ndërsa vendi po përballet me vështirësi në formimin e qeverisë së ardhshme.
Rezultatet e zgjedhjeve kanë dobësuar ndjeshëm pozitën e kryeministrit në largim, Benjamin Netanyahu, i cili ka humbur shumicën parlamentare. Megjithatë, as opozita nuk ka arritur ende të sigurojë mbështetjen e nevojshme për të marrë pushtetin
Në seancën inauguruese të Knessetit, presidenti i Izraelit, Isaac Herzog, u bëri thirrje deputetëve që të tejkalojnë ndasitë politike dhe të gjejnë gjuhë të përbashkët për krijimin e një qeverie të re.
“Shtrijini dorën njëri-tjetrit për kompromis, edhe kundërshtarëve tuaj. Shikojeni njëri-tjetrin me zemërgjerësi. Ka shumë punë për të bërë dhe kjo kërkon aftësitë dhe përvojën e të gjitha palëve në këtë parlament”, deklaroi Herzog.
Pas tre goditjeve të çekanit, nisi ceremonia e betimit të 26-të të Knessetit, ku 120 deputetët e zgjedhur morën zyrtarisht detyrën.
Herzog paralajmëroi se vendi nuk duhet të përfshihet në një tjetër cikël zgjedhor, duke kërkuar nga përfaqësuesit politikë të bëjnë të gjitha përpjekjet për arritjen e një marrëveshjeje.
“Duhet të bëni gjithçka që është e mundur për të shmangur përsëritjen e zgjedhjeve”, tha presidenti izraelit.
Përplasjet politike nisin që në seancën e parë
Atmosfera e tensionuar u reflektua edhe gjatë ceremonisë së betimit. Ministri në largim i ekstremit të djathtë, Itamar Ben-Gvir, u përfshi në një përplasje verbale me deputetin dhe përfaqësuesin e Listës së Bashkuar, Yousef Jabareen, të cilin e akuzoi për mbështetje ndaj Hamasit.
