Në Gjermani është vërejtur një rritje e numrit të rasteve të infektimit me koronavirus. Sipas të dhënave më të fundit të Institutit Robert Koch (RKI), gjatë javës së 37-të të vitit 2025 janë regjistruar 2,396 infeksione të reja, një rritje në krahasim me 2,153 rastet e javës së mëparshme.
Ky trend në rritje ka nisur që nga fundi i gushtit dhe pritet të vazhdojë deri në fund të shtatorit.
Gjithashtu, rritet edhe numri i infeksioneve akute të frymëmarrjes në të gjitha grupmoshat. Megjithatë, ndërsa ka më shumë njerëz që kërkojnë ndihmë për simptoma të lehta, rastet serioze që kërkojnë trajtim në spital mbeten të pakta. Kjo tregon se infeksioni po përhapet, por nuk ka ende një epidemi të përhapur masivisht, sipas revistës Fenix.
Variant i ri “Stratus” dominon
Një variant i ri i virusit, i quajtur XFG ose “Stratus”, është përgjegjës për shumicën e infeksioneve të reja. RKI raporton se ky variant është identifikuar në 84% të mostrave të analizuar dhe aktualisht është më i përhapuri në Gjermani. Për krahasim, në javët e 32-të dhe 33-të ishte prezente në 65% të rasteve. OBSH vlerëson se “Stratus” është më ngjitës, por nuk ka treguar se shkakton sëmundje më të rënda.
Përveç koronavirusit, po qarkullojnë edhe viruse të tjera si rinoviruset dhe parainfluenza, duke u kujtuar për mënyrën tipike të përhapjes së infeksioneve respiratore pas periudhës së pushimeve verore.
