Qeveria franceze të premten bëri thirrje për një marrëveshje për qetësim për Krishtlindje me fermerët protestues, duke paralajmëruar kundër bllokadave të mëtejshme gjatë sezonit të festave, një veprim që sindikata kryesore e vendit tha se varej nga përgjigjja e kryeministrit ndaj kërkesave të tyre.
Fermerët kanë bllokuar rrugë, kanë hedhur pleh organik dhe kanë zhvilluar protesta në Francë për më shumë se një javë, për të kundërshtuar mënyrën se si qeveria po menaxhon sëmundjen e dermatitit nodular te gjedhët dhe një marrëveshje tregtare me bllokun e Amerikës së Jugut, Mercosur, shkruan Reuters.
Fermerët u mblodhën me traktorë herët të premten përpara rezidencës së Presidentit Emmanuel Macron në vendpushimin bregdetar Le Touquet në Francën veriore, duke vendosur një arkivol me mbishkrimin “RIP Agri” dhe “JO Mercosur”.
Ndërkohë, në qytetin jugor të Avignon, fermerët hodhën patate në ndërtesat publike.
Protestuesit argumentojnë se politika e qeverisë për asgjësimin e të gjithë tufës kur zbulohet sëmundja e dermatitit nodular është e tepruar dhe mizore. Ata po ashtu pretendojnë se marrëveshja BE-Mercosur, nënshkrimi i së cilës është shtyrë për në janar, do të lejonte importe masive të produkteve që nuk përmbushin standardet franceze.
Kryeministri Sebastien Lecornu po zhvillonte takime me sindikatat kryesore të fermerëve.
