Mbi 60 për qind e qytetarëve të Serbisë do të votonin kundër anëtarësimit të vendit në Bashkimin Evropian, nëse njëri prej kushteve për integrim do të ishte njohja e pavarësisë së Kosovës.
Kështu tregojnë rezultatet e një sondazhi të Institutit të Shkencave Sociale të Serbisë, të publikuara nga “Yahoo News”, sipas të cilave 60.2 për qind e të anketuarve do ta kundërshtonin anëtarësimin në BE në rast se Serbia do të duhej ta njihte Kosovën si pjesë të procesit të integrimit.
Në anën tjetër, nëse njohja e Kosovës nuk do të ishte kusht për anëtarësim, 48.3 për qind e qytetarëve të anketuar do ta mbështesnin integrimin evropian të Serbisë. Kundër këtij procesi do të ishin 35 për qind, ndërsa 12.6 për qind janë deklaruar të pavendosur.
Të dhënat e sondazhit tregojnë gjithashtu një nivel të konsiderueshëm të skepticizmit të qytetarëve serbë lidhur me perspektivën evropiane të vendit të tyre.




