Pas tërheqjes së Jared Kushner nga projekti që lidhet me Shtabin e Përgjithshëm, a hapet mundësia e rinovimit të tij, apo qeveria e Serbisë do të kërkojë një investitor të ri?
Në Serbi vazhdojnë pafundësisht polemikat rreth ndërtesës së Shtabit të Përgjithshëm, pasi kompania e Jared Kushner (dhëndërr i Presidentit amerikan Donald Trump) hoqi dorë nga projekti për të ndërtuar një kompleks luksoz në atë vend.
Tani shtrohet pyetja nëse qeveria serbe do të përpiqet të gjejë një investitor të ri për të ndërtuar në atë vend, apo do të kundërshtohet ndërtimi. Por një pyetje shumë me rëndësi është: A duhet t’i paguajë Serbia kompensim kompanisë së Kushner, sepse, sipas të gjitha gjasave, ajo nuk i ka përmbushur garancitë nga kontrata e nënshkruar në vitin 2024.
“Pa mburojën e PR të partnerit amerikan”
Arkitekti Miljan Salata thotë për DW, se ekziston edhe një tjetër pyetje e hapur, që ka të bëjë me “partnerin e dytë në projekt”.
“Me sa di unë është edhe një investitor arab (Mohamed Alabar, d.m.th. kompania e tij Eagle Hills) i cili është gjithashtu i pranishëm në projektin e Belgrade Waterfront. Tani, pa ‘mburojën e PR’ të ofruar nga partneri amerikan dhe në kontekstin e presionit mediatik, është e dyshimtë se sa i gatshëm do të jetë ai partner tjetër të vazhdojë projektin. Është gjithashtu e dyshimtë, duke marrë parasysh veprimet hetimore, d.m.th. aktakuzat (në rastin e Shtabit të Përgjithshëm), se kush është tani i gatshëm të investojë atje”, thekson Miljan Salata, i cili është anëtar i Shoqatës Serbe të Arkitektëve.
Pavarësisht kësaj, ai mendon “se autoritetet nuk do të ndalen këtu dhe do të kërkojnë mënyra për të vazhduar projektin”.
Estela Radonjiq Zhivkov, nga Instituti për Mbrojtjen e Monumenteve të Kulturës (RZS), gjithashtu beson se qeveria serbe do të përpiqet të gjejë një investitor të ri.
“Përvoja nga vitet e kaluara tregon se qeveria serbe e sheh këtë zonë kryesisht si një hapësirë të përshtatshme për shitje dhe ndërtim, e jo si një hapësirë historike urbane ku ka disa asete kulturore të paluajtshme. Prandaj është realiste të pritet që do të bëhet një përpjekje për të gjetur një investitor të ri”, thotë ajo.
Sipas saj, RZS do të duhej të këmbëngulë në rendin ligjor – sepse heqja e statusit kulturor për Shtabin e Përgjithshëm (i cili është bombarduar dhe dëmtuar seriozisht gjatë kohës së bombradimeve të NATO-s) është i diskutueshëm.
Lajmi për vendimin e kompanisë së Jared Koushner u publikua në të njëjtën ditë kur Zyra e Prokurorit Publik për Krimin e Organizuar (JTOK) ngriti një padi kundër Ministrit të Kulturës, Nikola Selakoviq, Sekretares së Ministrisë, Slavica Jelaça, Drejtorit në detyrë të RZS, Goran Vasiq, dhe Drejtorit në detyrë të Institutit për Mbrojtjen e Monumenteve të Kulturës të Qytetit të Beogradit, Aleksandar Ivanoviq.
Ata akuzohen për shpërdorim detyre dhe falsifikim të dokumenteve zyrtare, siç u tha nga JTOK, “në lidhje me paligjshmëritë në heqjen e statusit të pronës kulturore nga ndërtesat e Shtabit të Përgjithshëm”.
Kjo ka zemëruar edhe Presidentin Aleksandar Vuçiq, i cili ka kërcënuar me ngritjen e padisë penale kundër të gjithë “pjesëmarrësve në shkatërrimin e investimit (të Kushner)” – kundër individëve nga policia dhe prokuroria, dhe të gjithë atyre që kontribuan në “minimin ekonomik të Serbisë”.
