Kalo te përmbajtja
Demos
Keni lajm?
  • Çka ka 3?
  • Lajme
  • Ndërkombëtare
  • Sport
  • Video
  • Magazine
  • Teknologji
  • Stil
  • Këndvështrime
Menyja
  • Ballina
  • Çka ka 3?
  • Lajme
  • Ndërkombëtare
  • Sport
  • Video
  • Magazine
  • Teknologji
  • Stil
  • Këndvështrime
Pamja
Demos

Gazeta Demos ngadalë por sigurt, po bëhet burim i besueshëm i informacionit, i hapur ndaj opinionit publik, duke i trajtuar të gjithë të barabartë. Gazeta Demos është shenjë identifikuese e fjalës së lirë, gjithnjë në frymën e demokracisë prej nga buron edhe emri i saj.

Rubrikat

VideoLajmeNdërkombëtareSportMagazineTeknologjiStilKëndvështrime

Demos

Rreth neshPolitika editorialeKontaktPrivatësiaKeni lajm?
Gazeta Demos SH.P.KRr. “Uran Ajeti”, 68, Prishtinëinfo@gazetademos.commarketing@gazetademos.comTel: +383 48 579 555
© 2026 Demos. Të gjitha të drejtat e rezervuara.
Ndërkombëtare

SHBA-ja sanksionon të gjitha linjat e mbetura ajrore të Iranit

GD
Gazeta Demos8 shtator 2026 në 22:34
SHBA-ja sanksionon të gjitha linjat e mbetura ajrore të Iranit

Shtetet e Bashkuara kanë vendosur sanksione ndaj të gjitha linjave të mbetura ajrore në Iran, duke e rritur ndjeshëm trysninë ndaj sektorit të aviacionit të Teheranit, si pjesë e një fushate më të gjerë që synon shkëputjen e Republikës Islamike nga tregtia dhe financat ndërkombëtare.

Departamenti amerikan i Thesarit i sanksionoi të martën 36 subjekte dhe individë, përfshirë 27 linja ajrore iraniane, kompani të huaja dhe një individ, të cilët akuzohen se kanë ndihmuar rrjetet e sanksionuara të aviacionit të Iranit për të siguruar avionë, pjesë këmbimi për avionë dhe teknologji të tjera.

Kjo është hera e parë që Uashingtoni e përdor një përcaktim të ri, i nxjerrë më 24 gusht, për të sanksionuar linjat ajrore që kishin mbetur në vend. Thesari tha se ky sektor përdoret nga qeveria iraniane për të transportuar armë, personel dhe ngarkesa të paligjshme.

“Le të jetë ky një paralajmërim për këdo që bën biznes me linjat ajrore e mbetura iraniane, të gjitha të cilat i sanksionuam sot: Ju rrezikoni të shkëputeni nga sistemi financiar global”, tha sekretari amerikan i Thesarit, Scott Bessent.

“Ne nuk do të zmbrapsemi në fushatën tonë për të mbyllur burimet financiare të regjimit iranian, përfshirë sektorin e aviacionit”, tha zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Tommy Pigott, në një deklaratë.

Sanksionet janë vendosur në kuadër të të ashtuquajturit Operacioni “I Dëbuari Ekonomikisht” i presidentit Donald Trump, i shpallur nga Bessent më 24 gusht, si pjesë e një fushate për t’i ndërprerë ato që Uashingtoni e përshkruan si burimet e mbetura ekonomike të regjimit iranian.

Ndër linjat ajrore të sanksionuara janë Iran Aseman Airlines, Iran Airtour, Kish Airlines, Qeshm Air, Karun Airlines, Sepehran Airlines, Taban Airlines, Varesh Airlines, Zagros Airlines, Chabahar Airlines, Fly Persia dhe Saha Airlines, e njohur zyrtarisht si Shërbimi i Transportit Ajror të Forcave të Armatosura.

Linjat e tjera ajrore të sanksionuara përfshijnë Air Shiraz, Ava Airlines, Fly Kish, Mehr Airëays, Raimon Airëays dhe Soroush Air.

Irani nuk ka reaguar deri tani ndaj këtyre sanksioneve.

Goditja ndaj burimeve të aviacionit të Iranit

Veprimi i Departamentit të Thesarit shkon përtej linjave ajrore iraniane, duke synuar një rrjet kompanish të huaja që, sipas Uashingtonit, kanë ndihmuar kompaninë e sanksionuar Mahan Air të sigurojë avionë dhe të kryejnë fluturime ndërkombëtare.

Mahan Air është nën sanksionet amerikane kundër terrorizmit që nga viti 2011. Uashingtoni e akuzon kompaninë se i ka ofruar mbështetje logjistike Korpusit të Gardës Revolucionare Islamike të Iranit (IRGC), përfshirë transportimin e personelit, armëve dhe pajisjeve ushtarake.

Departamenti i Thesarit tha se Mahan Air mori të paktën tre avionë Boeing 777 gjatë verës së vitit 2026, përmes një rruge që përfshinte Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Omanin. Kompania me bazë në Emiratet e Bashkuara Arabe, ECT Aviation Support, dhe kompania me bazë në Turqi, Sky Phoenix, u identifikuan si ndërmjetës në atë që Uashingtoni e përshkroi si një skemë për transferimin e avionëve me origjinë amerikane te Mahan Air.

Edhe pronari dhe drejtori ekzekutiv i ECT Aviation Support, shtetasi egjiptian Mahran Ibrahim Ali Mohamed Mahran, u sanksionua.

Kompani të tjera të huaja të shënjestruara përfshijnë kompaninë iCargo me bazë në Malajzi, Tour Invest me bazë në Kazakistan, si dhe kompanitë turke MES Cargo dhe S Sistem Logistics. Thesari tha se këto kompani i kanë ofruar Mahan Air shërbime të përgjithshme shitjeje, transporti të ngarkesave, logjistike apo shërbime të tjera.

S Sistem, për shembull, u akuzua se kishte koordinuar dërgesa të komponentëve për mjete ajrore pa pilot dhe pajisjeve industriale të destinuara për Iranin. Thesari tha se iCargo kishte koordinuar, në emër të Mahan Air, dërgesa të pjesëve me origjinë amerikane drejt Iranit.

Kerri Bitsoff, ish-zyrtare e lartë në Zyrën e Kontrollit të Pasurive të Huaja (OFAC) të Departamentit amerikan të Thesarit, i tha Radios Evropa e Lirë (REL) se masat mund të kenë ndikim të gjerë për shkak të shkallës në të cilën aviacioni ndërkombëtar mbështetet në pajisje dhe teknologji me origjinë amerikane.

“Veprimi i Thesarit sot sanksionoi çdo linjë ajrore iraniane që kishte mbetur dhe hoqi autorizimet që u lejonin linjave ajrore të huaja të fluturonin avionë me origjinë amerikane drejt Iranit”, tha Bitsoff.

“Pothuajse çdo avion komercial në botë është me origjinë amerikane ose fluturon me motorë dhe sisteme avionike nën kontrollin e SHBA-së, kështu që kjo prek pothuajse gjithë flotën globale”, shtoi ajo.

Bitsoff tha se lidhjet e drejtpërdrejta ajrore kanë qenë ndër kanalet e mbetura të Teheranit me botën e jashtme dhe akuzoi qeverinë iraniane se i përdor ato për të transportuar “ari dhe valutë të fortë”, personel dhe armë të IRGC-së, si dhe pjesë avionësh dhe komponentë me përdorim të dyfishtë.

Ajo tha se trysnia është veçanërisht e rëndësishme në kushtet e asaj që e përshkroi si një shtrëngim më të gjerë të rrugëve ekonomike rreth Iranit, me kufizime ndaj rrugëve detare, mbështetjen e qeverive evropiane për fushatën e trysnisë dhe reduktimin e tregtisë nga vendet e Gjirit Persik.

“Këto përcaktime e detyrojnë çdo furnizues karburanti, operator shërbimesh tokësore dhe bankë që ende bashkëpunon me një linjë ajrore iraniane, ta gjejë një zgjedhje”, tha Bitsoff.

Trysnia mbi ndërmjetësit

Departamenti i Thesarit pezulloi gjithashtu tri autorizime që lidhen me aviacionin iranian, përfshirë lejet për fluturimet transit në hapësirën ajrore dhe operimin në Iran të avionëve komercialë me origjinë amerikane ose nën kontrollin e SHBA-së nga linja ajrore joamerikane.

Thesari tha se kërkesat që lidhen me sigurinë e aviacionit do të shqyrtohen rast pas rasti.

Brett Erickson, ekspert i sanksioneve në kompaninë Obsidian Risk Advisors, e përshkroi këtë masë si një përshkallëzim të madh të fushatës së Uashingtonit për trysni ndaj Iranit.

“Ky është një përshkallëzim i rëndësishëm i Operacionit ‘I dëbuari Ekonomikisht’”, tha Erickson për REL-in.

“Uashingtoni po e kombinon një bllokadë detare me sanksione të hartuara për të mbyllur hapësirën ajrore si rrugë alternative ekonomike dhe për ta bërë më të vështirë që Irani të transportojë mallra ose të krijojë rezerva për ekonominë e tij”, shtoi ai.

Thesari tha se kompanitë dhe individët e huaj që lehtësojnë transaksionet që përfshijnë linjat e sanksionuara ajrore të Iranit mund të përballen me pasoja të rënda, përfshirë sanksione dytësore që mund t’u kufizojnë qasjen në sistemin financiar amerikan.

Personave amerikanë përgjithësisht u ndalohet kryerja e transaksioneve që përfshijnë subjektet e bllokuara, ndërsa institucionet financiare të huaja mund të përballen me kufizime ndaj llogarive të tyre korrespondente në SHBA ose llogarive për transaksione të caktuara të rëndësishme që përfshijnë palë të sanksionuara.

Krahas sanksioneve, Rrjeti i Zbatimit të Ligjeve për Krimet Financiare i Departamentit të Thesarit, i njohur si FinCEN, lëshoi një alarm duke u bërë thirrje institucioneve financiare të jenë vigjilente ndaj rrjeteve iraniane të prokurimit që kërkojnë të sigurojnë avionë dhe pjesë avionësh përmes kompanive fiktive dhe ndërmjetësve në vende të treta.

Thesari tha se linjat ajrore iraniane kanë përdorur kompani që paraqiten si biznese të aviacionit, teknologjisë ose logjistikës në Evropë, Lindjen e Mesme, Afrikë dhe Azi për të siguruar avionë perëndimorë, komponentë dhe mallra me përdorim të dyfishtë, duke fshehur përdoruesin përfundimtar iranian.

Masat e reja e zgjerojnë fushatën e Uashingtonit nga linjat ajrore individuale dhe kompanitë mbështetëse drejt pothuajse të gjithë infrastrukturës së aviacionit komercial që i shërben Iranit, duke rritur rreziqet për bizneset e huaja që vazhdojnë t’i ofrojnë Teheranit avionë, pjesë këmbimi, shërbime të transportit të ngarkesave, përfaqësim në shitje ose mbështetje financiare./ REL

ajroregjithalinjat

Më shumë nga Ndërkombëtare

  • 19:31Trump telefonon Putinin, zbardhen temat e diskutimit
  • 18:56Trump: Irani nuk ka më asnjë shans të ndërtojë armë bërthamore
  • 18:41Argjentina do të ngrejë padi penale kundër një kompanie nafte që operon në Falklands
  • 12:23Situata me zjarret në Shqipëri, 11 vatra aktive, mbi 1000 forca në terren për shuarjen e flakëve
  • 15:35Sulmet izraelite në një fshat në jug të Libanit vrasin nëntë persona