Shtetet e Bashkuara kanë nisur një valë të re emërimesh diplomatike për disa vende të Ballkanit Perëndimor dhe më gjerë, duke propozuar ambasadorë të rinj për Bosnje e Hercegovinën, Serbinë, Malin e Zi dhe Shqipërinë, ndërsa për Kosovën ende nuk është bërë publik ndonjë nominim.
Sipas njoftimit të Shtëpisë së Bardhë të 1 qershorit, për Bosnje e Hercegovinën është nominuar Ronald Johnson nga shteti i Masaçusetsit, për postin e ambasadorit të jashtëzakonshëm dhe fuqiplotë të SHBA-së. Për Serbinë është propozuar Michael Young nga shteti i Uhtas, ndërsa për Malin e Zi është nominuar Peter McCoy nga Karolina e Jugut.
Sa i përket Shqipërisë, i nominuari për ambasador është Eric Wendt, i cili së fundmi është paraqitur edhe para Komitetit për Marrëdhënie me Jashtë të Senatit amerikan. Gjatë dëshmisë së tij, ai theksoi se prioritetet kryesore, nëse konfirmohet, do të jenë mbrojtja e qytetarëve amerikanë dhe avancimi i interesave të Shteteve të Bashkuara.
Në të njëjtën valë nominimesh, SHBA ka propozuar ambasadorë edhe për një numër të madh shtetesh të tjera, përfshirë El Salvadorin, Azerbajxhanin, Kamboxhian, Guinenë Ekuatoriale, Moldavinë, Indonezinë, Bullgarinë, Trinidad dhe Tobago, Paraguain, Kolumbinë, Lituaninë, Egjiptin, Brazilin, Ekuadorin, Gambinë, Sierra Leonen dhe Keninë.
