Anëtarët e Grupit të Kontaktit për Mbrojtjen e Ukrainës (UDCG), të kryesuar nga Mbretëria e Bashkuar dhe Gjermania, do të takohen për të diskutuar planet e presidentit të SHBA-së Donald Trump që aleatët e NATO-s t’i sigurojnë Ukrainës armë.
UDCG – i njohur edhe si formati Ramstein – vjen pasi Trump tha se dërgesat e armëve, duke përfshirë sistemet e mbrojtjes ajrore Patriot, mund të mbërrijnë në Ukrainë brenda ditësh.
Trump javën e kaluar tha se ai nënshkroi një marrëveshje me aleatët e NATO-s që do të çonte në dërgesa armësh në shkallë të gjerë në Ukrainë, duke përfshirë sistemet Patriot – të konsideruara si një nga më të mirat në botë për zbulimin dhe kapjen e një game të gjerë objektivash ajrore që vijnë.
“Ne do të dërgojmë Patriot në NATO dhe më pas NATO do t’i shpërndajë ato”, tha Trump.
“Aleanca do të paguajë për sistemet”, shtoi ai.
Presidenti amerikan, duke folur së bashku me shefin e NATO-s Mark Rutte, tha se armët do të paguhen nga aleatët evropianë dhe se dërgesat fillestare do të mbërrijnë “brenda disa ditësh”.
Kuptohet që kombet evropiane do t’i transferojnë armët – të mbledhura nga rezervat ekzistuese ose nga ato të reja të blera nga SHBA – në Ukrainë.
Zëvendësimet do të blihen nga SHBA, shkruan euronews .
Nuk është ende e qartë nëse janë bërë transferime armësh në Ukrainë, me Komandantin Suprem të Forcave Aleate të NATO-s për Evropën, Gjeneralin Alexus Grynkewich, i cili tha se përgatitjet për dorëzimin e armëve ishin “në proces”.