Agjentët izraelitë po kryejnë survejim të gjerë ndaj forcave amerikane dhe aleatëve të vendosur në një bazë të re amerikane në jug të Izraelit. Të paktën kështu shkruan këtë të hënë The Guardian , duke iu referuar burimeve diplomatike dhe ushtarake të informuara mbi mosmarrëveshjet për regjistrimet e hapura dhe të fshehta të takimeve dhe diskutimeve.
Shkalla e mbledhjes së inteligjencës në Qendrën e Koordinimit Civil-Ushtarak (CMCC) e detyroi komandantin amerikan të bazës, gjeneralin Patrick Frank, të thërriste një homolog izraelit për t’i thënë se “regjistrimet duhet të ndalen këtu”.
Stafi dhe vizitorë nga vende të tjera kanë ngritur gjithashtu shqetësime për regjistrimet e Izraelit brenda CMCC-së. Disa janë paralajmëruar të mos ndajnë informacion të ndjeshëm për shkak të rrezikut se mund të mblidhet dhe të përdoret.
Ushtria amerikane refuzoi të komentojë mbi aktivitetet e survejimit izraelit. Ushtria izraelite gjithashtu nuk komentoi mbi kërkesën e Frank-ut për të ndalur regjistrimet, duke theksuar se bisedat brenda CMCC nuk janë të klasifikuara.
“IDF dokumenton dhe përmbledh takimet ku është e pranishme përmes protokolleve, si çdo organizatë profesionale e këtij lloji, në mënyrë transparente dhe të dakorduar,” tha ushtria izraelite në një deklaratë. “Pretendimi se IDF po mbledh inteligjencë mbi partnerët e saj në takime ku është pjesëmarrëse aktive është absurd.”
CMCC u ngrit në tetor për të monitoruar armëpushimin, koordinuar ndihmat dhe hartuar plane për të ardhmen e Gazës sipas planit 20-pikësh të Donald Trump për t’i dhënë fund luftës. Kopje gjigante të dokumentit janë të ekspozuara në ndërtesë.
Ushtarët e vendosur aty kishin detyrë të mbështesnin rritjen e furnizimeve esenciale në Gaza, pjesë e marrëveshjes. Megjithatë, Izraeli ka kufizuar ose ndaluar shpesh dërgesat e ushqimeve, ilaçeve dhe mallrave humanitare. Një bllokadë e plotë këtë verë e çoi territorin në prag të urisë.
Fillimisht u raportua se Izraeli po i dorëzonte autoritetin mbi hyrjen e mallrave në territor ushtrisë amerikane, por dy muaj pas armëpushimit, sipas një zyrtari amerikan, Izraeli ruan kontrollin e perimetrit të Gazës dhe të asaj që hyn brenda.
Ekspertë amerikanë të logjistikës, të trajnuar për të gjetur rrugë furnizimi në terrene të vështira, u vendosën në CMCC për të rritur fluksin e ndihmave. Por shpejt zbuluan se kontrollet izraelite mbi mallrat ishin pengesa më e madhe. Brenda pak javësh, dhjetëra prej tyre u larguan.
Diplomatët thonë se diskutimet në CMCC kanë qenë thelbësore për të bindur Izraelin të ndryshojë listat e furnizimeve të ndaluara si “përdorim i dyfishtë”, që mund të shfrytëzohen për qëllime ushtarake. Këto përfshijnë edhe gjëra bazike si shtylla çadrash dhe kimikate për pastrimin e ujit.
Ministri i Jashtëm holandez, David van Weel, tha se ishte informuar në CMCC për “një nga barrierat e përdorimit të dyfishtë që u hoq si rezultat i bisedimeve”. Ndërkohë, artikuj të tjerë si lapsa dhe fletore për shkollat janë ndaluar pa shpjegim.
