Ish-Prokurori i Posaçëm amerikan, Jack Smith është duke u hetuar nëse e ka shkelur ligjin i cili ua ndalon punëtorëve federalë t’i përdorin pozitën e tyre për aktivitete politike. Këtë, agjencitë kryesore të lajmeve në botë si Reuters dhe Associated Press thanë se ua ka konfirmuar Zyra e Këshilltarit të Posaçëm.
Smith dha dorëheqje në janar të këtij viti pasi ndjekjet penale të tij kundër presidentit amerikan Donald Trump përfunduan pa sukses dhe pushuan pasi republikani i fitoi zgjedhjet presidenciale në SHBA.
Vendimi për ta hetuar Smithin erdhi pas një kërkese për hetime të nisur nga senatori amerikan, Tom Cotton, republikan nga Arkansasi. Ai e ka quajtur ish-prokurorin special “figurë politike që maskohet si zyrtar publik”.
Trump pati thënë në dhjetor të vitit të kaluar se Smith do të kthehej në Hagë. Ai ka qenë kryeprokuror i Zyrës së Prokurorit të Specializuar në Gjykatën Speciale, e cila po gjykon ish-krerë të lartë dhe ish-ushtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, përcjell Gazeta Express.
Në një intervistë në NBC, Trump kishte folur specifikisht për Smith, i cili para një viti e gjysmë ishte emëruar për t’i mbikëqyrur hetimet penale ndaj tij.
