Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, përderisa po e priste në takim kryeministrin e Australisë, Anthony Albanese, të hënën në Shtëpinë e Bardhë, u pyet edhe për komentet fyese që i kishte bërë në të kaluarën Kevin Rudd, tani ambasador i Australisë në Uashington.
Kur u pyet për komentet e ambasadorit, i cili kur kishte folur për Trumpin nuk e mbante këtë pozitë, kreu i Shtëpisë së Bardhë tha: “Nuk di asgjë për të – nëse ai tha [gjëra] të këqija, ndoshta do të donte të kërkonte falje”, shkruan gazeta “The Independent” .
Edhe pse Trumpi pretendoi se nuk dinte asgjë për australianin Rudd, më parë e kishte përshkruar si “jo llamba më e ndritshme”.
Trumpi më pas u kthye nga mysafiri Albanese, që e kishte në krahun e djathtë, dhe e pyeti: “A ka thënë ambasadori diçka të keqe për mua?”
Kryeministri Albanese reagoi me buzëqeshje. Trumpi vazhdoi: “Mos më trego.”
“Ku është ai, a është ende duke punuar për ty” – e pyeti presidenti amerikan Albanesen. “Po” – ia ktheu mysafiri.
