“El Mencho” u lokalizua falë një informacioni të inteligjencës amerikane, e cila po ndiqte lëvizjet e një gruaje të afërt me të, e dyshuar si e dashura e tij.
Meksika është përfshirë nga një valë e re dhune pas lajmit për vdekjen e njërit prej trafikantëve më të fuqishëm në botë, Nemesio Oseguera Cervantes, i njohur si “El Mencho”.
Ai ishte lideri i kartelit famëkeq Jalisco Nueva Generación Cartel (CJNG), një organizatë kriminale që kontrollonte territore të gjera dhe rrugë të rëndësishme të trafikut të drogës.
Si u gjet dhe si vdiq
Sipas versionit zyrtar të autoriteteve meksikane, “El Mencho” u lokalizua falë një informacioni të inteligjencës amerikane, e cila po ndiqte lëvizjet e një gruaje të afërt me të, e dyshuar si e dashura e tij. Përmes gjurmimit të saj, forcat e sigurisë arritën të konfirmonin praninë e Oseguerës në një zonë malore pranë qytetit Tapalpa, në shtetin perëndimor të Jalisco-s. Operacioni u zhvillua më 22 shkurt, pasi ishte planifikuar një ditë më parë. Sipas qeverisë, ai u kap i gjallë, por ndërroi jetë gjatë transportimit me helikopter drejt spitalit.
Megjithatë, gazetari investigativ Ioan Grillo, një njohës i thellë i krimit të organizuar në Meksikë, e ka kundërshtuar këtë version. Sipas tij, vendimi për të mos e lënë të mbijetonte është marrë brenda Meksikës, pasi “ai dinte shumë sekrete” dhe ishte përgjegjës për vrasjen e shumë ushtarakëve, gjyqtarëve, politikanëve, gazetarëve dhe policëve.
Shpërthimi i dhunës në disa shtete
Menjëherë pas publikimit të lajmit për vdekjen e tij, shpërthyen përplasje të armatosura në disa rajone të vendit. Më i goditur ishte shteti i Jalisco-s, sidomos kryeqyteti i tij Guadalajara, si dhe qyteti turistik Puerto Vallarta. Raportohet se karteli kishte ofruar një shpërblim prej 20 mijë pesos për çdo ushtarak të vrarë. Ministri i Sigurisë, Omar García Harfuch, bëri të ditur se nga përleshjet kanë mbetur të vrarë të paktën 30 anëtarë të kartelit, 27 pjesëtarë të forcave të sigurisë dhe një civil i pafajshëm. Mbi 70 persona janë arrestuar.
Në shumë qytete janë djegur makina, kamionë dhe biznese, ndërsa janë ngritur qindra barrikada në rrugë. Banorët dhe turistët e huaj janë detyruar të mbyllen nëpër shtëpi dhe hotele. Përleshje dhe zjarrvënie janë raportuar edhe në zona të tjera, nga Tijuana deri në shtetin e Quintana Roo-së.
