Një gjykatë apelesh në SHBA ka vendosur se shumica e tarifave të vendosura nga presidenti amerikan Donald Trump janë të paligjshme, duke hapur rrugën për një përballje të mundshme ligjore që mund të përmbysë agjendën e tij të politikës së jashtme.
Vendimi prek tarifat “reciproke” të Trumpit, të vendosura ndaj shumicës së vendeve të botës, si dhe tarifa të tjera të aplikuara ndaj Kinës, Meksikës dhe Kanadasë.
Me një vendim 7-4, Gjykata e Apelit për Qarkun Federal hodhi poshtë argumentin e Trumpit se tarifat lejoheshin në bazë të një ligji mbi fuqitë ekonomike emergjente, duke i cilësuar ato “të pavlefshme si të kundërta me ligjin”.
Vendimi nuk do të hyjë në fuqi deri më 14 tetor për t’i dhënë kohë administratës që t’i kërkojë Gjykatës Supreme të marrë çështjen në shqyrtim.