Parlamenti i Malit të Zi miratoi ndryshimet ligjore që u lejojnë grave me sëmundje gjinekologjike të diagnostikuara që shkaktojnë menstruacione të dhimbshme të marrin dy ditë pushim të paguar çdo muaj.
Dje, më 27 korrik, Parlamenti miratoi ndryshimet në Ligjin për Sigurimet Shëndetësore, të cilat u japin grave të diagnostikuara me dismenorre sekondare, cikle menstruale të dhimbshme të shoqëruara me dhimbje barku, të përziera dhe lodhje, të drejtën për dy ditë leje të paguar në muaj.
Kjo e drejtë, siç raportohet nga Vijesti, vlen për gratë që kanë cikle menstruale të dhimbshme të shkaktuara nga shkaqe organike, siç janë endometrioza, fibroidet, polipet dhe sëmundje të tjera gjinekologjike.
Iniciativa për ndryshime në ligj u paraqit në mars të këtij viti, në prag të Ditës Ndërkombëtare të Gruas, nga deputetja e pavarur Jevrosima Pejoviq.
Projektligji më parë u mbështet unanimisht në mbledhjet e Komisionit të Shëndetësisë, Punës dhe Mirëqenies Sociale dhe Komisionit Legjislativ.
Në shpjegimin e ligjit, thuhet se qëllimi i ndryshimeve është të rregullohen në mënyrë adekuate gjendjet patologjike të diagnostikuara të dismenorresë sekondare, të hiqen paragjykimet në vendin e punës dhe të vendoset një ekuilibër midis ruajtjes së shëndetit dhe detyrimeve profesionale të grave.
Siç theksohet, grave me dismenorre sekondare u njihet e drejta për një gjendje të veçantë paaftësie të përkohshme për punë.
