Sipas informacioneve paraprake, pas sinjalizimeve se i kërkuari fshihej në zonë, agjentë të Policisë së Korçës janë nisur drejt Podenës për ta arrestuar. Gjatë ndërhyrjes, i dyshuari ka hapur zjarr ndaj forcave të policisë, duke lënë të vdekur një efektiv të forcave “Shqiponja” të Drejtorisë Vendore të Policisë Korçë dhe duke plagosur kolegun e tij, shkruan Euronews.al.
Burime bëjnë me dije se autori i dyshuar është Violand Braçellari, ish-ushtarak, i shpallur në kërkim prej vitesh. Ai kishte edhe një vendim gjykate për çështje të lidhura me lëndët narkotike.
Sipas të njëjtave burime, Braçellari dyshohet se jetonte prej vitesh në pyjet e Podenës, ku kishte ngritur një stan të madh dhe mbante disa qen. Një ditë më parë, policia kishte marrë informacion se ai ndodhej i fshehur në këtë zonë të thellë malore.
Mësohet se i dyshuari konsiderohej person me rrezikshmëri të lartë dhe njohës shumë i mirë i armëve. Në operacion kanë marrë pjesë rreth 7-8 efektivë policie, disa prej të cilëve të veshur civilë. Dyshohet se ai i ka identifikuar forcat e policisë gjatë natës, rreth orës 03:00-04:00 të mëngjesit të së enjtes, dhe më pas ka qëlluar në drejtim të tyre.
