Mesfushori i Ballkanit, Toni Domgjoni, ka shprehur besimin se skuadra e Kosovës është e gatshme të luftojë deri në fund për kualifikimin, në prag të ndeshjes kthyese ndaj Bohemians në garat evropiane.
Skuadra nga Suhareka do ta zhvillojë të enjten ndeshjen e kthimit, pasi në përballjen e parë u mposht me rezultat 2:1 , duke lënë gjithçka të hapur për sfidën vendimtare
Domgjoni u shpreh:
“E dimë çfarë na pret dhe e dimë se duhet të japim maksimumin nga minuta e parë deri në të fundit. Besimi është aty, por tani duhet ta tregojmë në fushë. Duhet të jemi më të guximshëm dhe më të saktë në të dyja fazat e lojës. Në ndeshjen e parë patëm momente të mira, por na mungoi vazhdimësia dhe në disa situata nuk ishim mjaftueshëm të vendosur. Nesër duhet të luajmë me më shumë intensitet, të kontrollojmë më mirë momentet e vështira dhe të jemi më efikasë para portës. Kemi 90 minuta për ta ndryshuar historinë e kësaj përballjeje.
Në fund, mesfushori i Ballkanit pati edhe një mesazh për tifozët:
“Mesazhi im për tifozët është i thjeshtë: na qëndroni pranë nga minuta e parë deri në fund. E dimë sa shumë na ndihmon atmosfera dhe energjia që krijojnë tifozët tanë. Ne do të japim gjithçka në fushë për këtë fanellë, për klubin dhe për ta bërë krenar çdo tifoz që do të jetë në stadium. Le ta luftojmë së bashku deri në sekondën e fundit.