Boksierja kosovare Donjeta Sadiku e ka nisur me fitore Kampionatin Evropian të Boksit, që po zhvillohet në Sofje të Bullgarisë.
Sadiku, e cila garon në kategorinë deri në 60 kilogramë, triumfoi bindshëm me rezultat 5:0 ndaj boksieres ruse Alina Pushkar, duke dominuar duelin nga fillimi deri në fund.
Pas fitores, Sadiku tha se kishte përballë një kundërshtare të fortë, por se arriti të tregonte më shumë në ring.
“Kam ardhur me një qëllim dhe synim shumë të qartë: të përballem me boksieret më të mira dhe më të forta që janë në kategorinë time. Jam e gatshme për çdo kundërshtare që më del përballë në ring”, u shpreh Sadiku.
Kampionia kosovare tashmë synon të vazhdojë rrugëtimin me fitore të tjera në garën evropiane.