Trajneri i Manchester Cityt, Pep Guardiola, beson se përvoja e tij si gjashtë herë kampion i Ligës Premier do ta ndihmojë skuadrën të rikthehet në garë për titull, pavarësisht fillimit të ngadaltë që ka pasur këtë sezon.
Pas tetë viteve dominim me gjashtë kampionate të fituara, City aktualisht renditet në vendin e pestë – gjashtë pikë prapa liderit Arsenal dhe ka pësuar tri humbje në kampionat.
“Do të thoja se sezoni nuk ka qenë i keq. Nuk ka qenë perfekt, por kam ndjesinë se do të jetë një sezon i mirë. Që nga fillimi e kam pasur këtë ndjesi, për shumë arsye”, deklaroi Guardiola.
Trajneri katalunas pranoi se rivali kryesor, Arsenal, po kalon një formë të jashtëzakonshme: “Ata janë një skuadër solide, shumë efektive dhe dinë të menaxhojnë çdo situatë. Por sezoni është shumë i gjatë, prandaj duhet të qëndrojmë aty pranë tyre.”
