Harry Kane pranoi se është i lumtur për faktin që është ndër pretendentët për Topin e Artë dhe e përshkroi sezonin e kaluar si më të mirin e karrierës së tij.
Sulmuesi 33-vjeçar i Bayern Munich është ndër favoritët për çmimin prestigjioz individual, pasi shënoi 73 gola për klubin dhe kombëtaren sezonin e kaluar.
Në një intervistë për TNT Sports, sulmuesi i Bayernit tha:
“Jam jashtëzakonisht krenar për sezonin që kam pasur. Jo shumë kohë më parë isha një tifoz që doja të bëhesha futbollist profesionist dhe tani jam këtu duke fituar çmime dhe po garoj për Topin e Artë. Sigurisht, tani nuk është në duart e mia, është në dorë të votuesve dhe njerëzve që vendosin. Sezoni që kam pasur ka qenë më i miri im deri më tani dhe do të duhet të presim dhe të shohim.”
Pavarësisht rezultateve mbresëlënëse sezonin e kaluar, kapiteni i Anglisë tashmë e ka kthyer vëmendjen drejt sfidave të radhës.
“U rrita duke parë Messin dhe Ronaldon, epokën kur ata thjesht dominonin dhe dominonin. Sigurisht, Messi është i vetmi që ka shënuar më shumë gola me 82, por edhe në disa nga sezonet e tij të tjera, dhe rezultati më i lartë i Ronaldos mendoj se ishte 69. Këto janë numra që thjesht mendova se ishin budallallëqe, të cilat në fakt janë. Ata janë dy më të mëdhenjtë e gjeneratës sonë dhe ndoshta të të gjitha kohërave. Pra, 73 gola për mua, jam mjaft i habitur nga kjo”, përfundoi Kane.