Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, gjatë ceremonisë solemne të dekorimit nga Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu, ka shprehur emocionin e tij të madh për nderin që mori dhe për lidhjen e veçantë me futbollin kosovar.
Ai e konsideroi Kosovën dhe Prishtinën si “kryeqytetin botëror të futbollit” dhe theksoi rolin e futbollit si një gjuhë universale që bashkon njerëzit.
“Çfarë nderi, çfarë kënaqësie, çfarë emocioni, çfarë lumturie për mua të jem sot në shtëpi, në Kosovë. Dhe të marr këtë nder të jashtëzakonshëm, këtë medalje nga ju, nga Presidenti, miqtë e mi të dashur, në emër të një vendi të mrekullueshëm, që është Kosova. Kosova sot, dhe Prishtina sot, është kryeqyteti i botës, apo jo? Bota e futbollit, sepse, siç e dimë të gjithë, futbolli është gjëja më e rëndësishme në botë, është kryeqyteti i botës. Por është një emocion i madh për mua të qëndroj këtu përpara jush, dhe kërkoj falje që po flas në anglisht, por shqipja ime ende nuk është në nivelin që duhet. Do të marr disa mësime për festimin e 10-vjetorit të anëtarësimit të FIFA-s të Kosovës vitin e ardhshëm, dhe herën tjetër do të flas shqip. Dhe nëse keni disa minuta, do të doja të thoja edhe disa fjalë të tjera. Pas pamjeve që pashë në video, do të doja t’i dedikoja këtë medalje, këtë njohje, këtë nder, Fadil Vokrrit”, tha Infantino.
