Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, ka lënë të hapur mundësinë që në të ardhmen Kupa e Botës të zgjerohet edhe më tej, duke përfshirë 64 kombëtare.
Në një intervistë për Blue Win, kreu i FIFA-s tha se kjo ide do të shqyrtohet pas përfundimit të Kupës së Botës 2026, e cila për herë të parë zhvillohet me 48 ekipe pjesëmarrëse. “Ky është padyshim një diskutim që do të shqyrtohet pas këtij Botërori,” deklaroi Infantino.
Ai theksoi se organizimi i Kupës së Botës duhet të ketë një karakter global dhe jo të favorizojë vetëm kontinentet tradicionale të futbollit.
“Kur organizon një Kupë Bote, duhet ta organizosh për të gjithë botën, jo vetëm për Evropën dhe Amerikën e Jugut, por realisht për gjithë globin.”
Sipas Infantinos, zgjerimi i turneut do t’u jepte më shumë vendeve të vogla mundësinë për të ëndërruar pjesëmarrjen në kompeticionin më të madh të futbollit.
