Kupa e Botës 2026 pritet të sjellë një sërë ndryshimesh të rëndësishme në rregulloren e lojës, me synimin për të luftuar humbjen e kohës dhe për ta bërë futbollin më dinamik dhe më të drejtë. Rregullat e reja janë konfirmuar dhe do të aplikohen në turneun më të madh të futbollit në botë.
Një nga ndryshimet më të rëndësishme lidhet me rivëniet anësore. Lojtarët do të kenë vetëm pesë sekonda kohë për ta rifilluar lojën dhe çdo vonesë e qëllimshme mund të sjellë humbjen e posedimit, me rivënien që i kalon ekipit kundërshtar.
Po ashtu, edhe portierët do të jenë nën vëzhgim më të madh. Në rast se ata ose lojtarët e tjerë vonojnë qëllimisht rinisjen e lojës, arbitri mund të ndëshkojë ekipin duke akorduar një goditje nga këndi për kundërshtarët.
Ndryshime të rëndësishme do të ketë edhe te zëvendësimet. Futbollistët që largohen nga fusha duhet ta bëjnë këtë brenda 10 sekondave dhe në pikën më të afërt. Nëse nuk respektojnë afatin, lojtari zëvendësues nuk do të lejohet të futet në lojë për të paktën një minutë, duke e lënë ekipin përkohësisht me një lojtar më pak.
