Boksieri shqiptar Kristian Prenga do të përballet sonte me një nga sfidat më të mëdha të karrierës së tij, teksa në Jeddah të Arabisë Saudite do të hyjë në ring kundër ish-kampionit të botës në peshat e rënda, Anthony Joshua.
Meçi mes Joshuas dhe Prengës është pjesë e një mbrëmjeje të madhe boksi, ku do të zhvillohen edhe dy përballje për tituj botërorë. Dueli kryesor mes dy boksierëve të peshave të rënda pritet të nisë rreth orës 00:00 pas mesnate sipas kohës së Kosovës , megjithëse orari mund të ndryshojë në varësi të përfundimit të meçeve paraprake.
Anthony Joshua, 36-vjeçar, ka një karrierë të jashtëzakonshme në boksin profesionist. Britaniku ka qenë kampion bote në kategorinë e peshave të rënda dhe gjatë karrierës së tij ka zhvilluar duele me emra të mëdhenj të këtij sporti. Ai ka një bilanc prej 28 fitoresh dhe 4 humbjesh , me shumicën e fitoreve të ardhura me nokaut.
Joshua në ringun e fundit u paraqit në dhjetor, kur mposhti Jake Paulin me nokaut teknik në raundin e gjashtë në Miami.
Përballë tij do të jetë Kristian Prenga, 35-vjeçari shqiptar i cili njihet për fuqinë e goditjeve dhe stilin agresiv të boksimit. Prenga ka ndërtuar karrierën e tij kryesisht në kategorinë e peshave të rënda dhe synon që përmes kësaj përballjeje të fitojë një vend në mesin e emrave më të njohur të këtij divizioni.
