Periudha e Pierluigi Tamit në pozitën e drejtorit të Kombëtares së Zvicrës do të përfundojë pas dy ndeshjeve të fundit të Ligës së Kombeve, që zhvillohen gjatë këtij muaji.
Në konferencën e tij të fundit për shtyp, Tami është ndalur edhe te çështja e futbollistëve me shtetësi të dyfishtë, duke folur konkretisht për rastin e Lutfi Dalipit.
Federata e Futbollit e Zvicrës është detyruar ta pranojë vendimin e futbollistit të Young Boysit, i cili këtë edicion është i huazuar te Vaduzi.

Dalipi ka bërë të ditur se në të ardhmen dëshiron të luajë për një nga dy përfaqësueset shqiptare, Kosovën ose Shqipërinë, ndërsa ende nuk e ka marrë vendimin përfundimtar se cilën do ta zgjedhë.
Tami ka treguar se me Dalipin kanë biseduar për perspektivën e tij në Kombëtaren e Zvicrës, por konkurrenca në repartin e mesfushës është shumë e madhe.

