Liverpooli mund të përballet me një tjetër largim të rëndësishëm gjatë verës, pasi raportet sugjerojnë se një prej yjeve është i gatshëm të pranojë ulje page për t’u larguar nga “Anfield”.
Mo Salah tashmë ka konfirmuar largimin e tij nga Liverpooli pas nëntë vitesh të shkëlqyera, por atij mund t’i bashkohet edhe Federico Chiesa, i cili duket i pakënaqur me mungesën e minutave të lojës te “The Reds”.
Chiesa ishte transferimi i parë i Arne Slotit për klubin në vitin 2024, duke u bashkuar për një shumë prej 10 milionë paundësh dhe duke zhvilluar 48 paraqitje për skuadrën.
Megjithatë, pavarësisht se u bë një nga lojtarët më të preferuar të tifozëve, Chiesa ka qenë titullar vetëm një herë në Premierligë në këtë sezon dhe mund të jetë gati për një largim në verë.
Sipas “Calciomercato”, ish-sulmuesi i Fiorentinës dhe Juventusit është i gatshëm të pranojë një ulje të konsiderueshme page për të realizuar rikthimin e dëshiruar në Itali.
Me kontratë në Merseyside deri në vitin 2028, Chiesa kishte interes nga klubet e Serie A edhe vitin e kaluar, por në fund qëndroi, megjithëse këtë herë situata mund të jetë ndryshe.
