Një luan dhe një ari, të shpëtuar nga robëria në veri të Shqipërisë, mbërritën në fillim të dhjetorit nëpër strehimore për kafshë në Gjermani, pasi autoritetet në Tiranë zbuluan se ata po mbaheshin në mënyrë të paligjshme si kafshë shtëpiake në një pronë private.
Erioni, një luan trevjeçar, dhe Flora, një ari dyvjeçar, tashmë po nisin të dy një jetë të re.
“Jemi shumë të lumtur që autoritetet i konfiskuan kafshët dhe që tani kemi mundësinë t’i dërgojmë në Gjermani, ku mund të fillojnë nga e para dhe të jetojnë në kushte të përshtatshme për speciet e tyre”, tha Magdalena Scherk-Trettin, menaxhere e lartë projektesh përgjegjëse për shpëtimet në organizatën ndërkombëtare për mbrojtjen e kafshëve “FOUR PAWS”, raporton AP, transmeton Klankosova.tv.
Një ekip i “FOUR PAWS” realizoi operacionin e shpëtimit pasi Agjencia Kombëtare e Pyjeve e Shqipërisë lokalizoi luanin, bazuar në video të publikuara në TikTok nga pronari i tij.
As autoritetet dhe as organizata nuk kanë bërë publik emrin e personit që i mbante kafshët si kafshë shtëpiake.
Veterinerët i vunë kafshët në anestezi përpara se të ngarkoheshin në kafaze për udhëtimin e gjatë drejt strehëve të reja. Më 13 dhjetor, ata përfunduan një udhëtim prej 70 orësh nëpër disa vende evropiane: Erioni u vendos në një rezervat për kafshë të egra në juglindje të Gjermanisë, ndërsa Flora në një strehë për arinj në veri të vendit, bëri të ditur “FOUR PAWS”.
Organizata tha se të dyja kafshët ishin në gjendje të dobët shëndetësore.
“Një kontroll fillestar vizual tregoi se Flora është e kequshqyer dhe ka probleme dentare, ndaj plani i saj i rikuperimit tashmë ka nisur”, thuhet në deklaratën e organizatës.
Ndërsa kur Erioni u shpëtua, atij i kishin rënë qimet e krifës, për arsye që veterinerët ende nuk kanë mundur t’i përcaktojnë.
