Deputeti i Aleancës, Besnik Tahiri, ka bërë të ditur se kjo parti do ta dërgojë në Prokurori çështjen e vendimeve të Qeverisë për themelimin e 18 komisioneve, të cilat, sipas tij, janë krijuar për emërime në agjenci ekzekutive e qeveritare dhe në pozita publike.
Tahiri ka akuzuar Qeverinë në detyrë se po vazhdon me emërime edhe pse, sipas tij, nuk ka legjitimitet për të ndërmarrë veprime të tilla, ndërsa ka kërkuar që këto vendime të anulohen menjëherë.
“Qeveria e Republikës së Kosovës ka marrë 18 vendime duke themeluar 18 komisione dikund, dikund me njerëz të njëjtë, për me i emëru në agjenci ekzekutive, në agjenci qeveritare, në një pozitë si sekretar permanent në një kohë kur kjo qeveri është në detyrë, kur kjo qeveri nuk ka legjitimitet, kur kjo qeveri është duke e bllokuar shtetin, kur këta ministra e shkelin ligjin për qeveri, duke ardhur te u betu si deputetë Kuvendin e Republikës së Kosovës dhe prej këtu duke hyrë për detyrën e duhurën e tyre dhe duke shkuar në ministri. Pra, në qoftë se e shohim ligjin për qeveritë që e kam këtu, neni 31 që flet për kufizimet e qeverisë në dorëheqje, e neni 1.3 thotë kështu”, tha ai.
Sipas Tahirit, Qeveria në detyrë nuk duhet të zhvillojë procedura të reja për emërime në pozita publike, ndërsa paralajmëroi se çështja do të trajtohet edhe në aspektin juridik.
“Procedura të reja për emërimin në pozita publike për emërimin e të cilave është kompetencë në bazë të ligjeve përkatëse. Le që po vazhdojnë me bë emërimet. Le që po vazhdojnë me bë Komisionet mirëpo edhe po përgatiten që jo vetëm në nivel politik të shkeljes së ligjit të betimit deputetit, ta shkelin kushtetutën, mirëpo po ashtu edhe në administratë të shtetit”, tha ai.




