
Kryetari i Lëvizjes Qytetare URA në Mal të Zi, Dritan Abazoviq, ka vlerësuar lart lëvizjen studentore në Serbi, duke thënë se mënyra se si është organizuar lufta e tyre për demokraci duhet të studiohet në universitetet botërore.
Në podkastin e tij “Petak s Dritanom”, Abazoviq tha se protestat dhe mobilizimi i studentëve përfaqësojnë një nivel të avancuar të organizimit qytetar dhe luftës demokratike, ka raportuar ‘Antenam”, transmeton Gazeta Express.
Ai theksoi se Serbia po hyn në një periudhë të vështirë të konsolidimit politik, duke paralajmëruar se sfidat kryesore për listën studentore do të jenë sundimi i ligjit, luftimi i korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Sipas tij, lëvizja studentore duhet të tregojë kujdes ndaj personave që mund të afrohen me pushtetin e ri për të mbrojtur interesa të caktuara dhe biznese të paligjshme.
Abazoviq tutje tha se lista studentore mund të synojë formimin e një qeverie ekspertësh.
Duke bërë krahasimin me ndryshimin e pushtetit në Mal të Zi në vitin 2020, Abazoviq tha se situata në Serbi është e ndryshme, pasi atje nuk ka pasur të njëjtën ndarje ideologjike mes blloqeve politike.
Ai u bëri thirrje qytetarëve malazezë që të marrin shembull nga mobilizimi në Serbi dhe Hungari, duke theksuar se zgjedhjet e vitit 2027 në Mal të Zi mund të sjellin ndryshimin e pushtetit.
“E kuptoj se skena politike është e neveritshme dhe se njerëzit nuk mund ta besojnë atë që po ndodh. Por, për ta ndryshuar këtë, ekziston vetëm një mënyrë”, ka deklaruar Abazoviq