Pas konferencës së presidentes, Vjosa Osmani e cila njoftoi se ka shpërndarë Kuvendin, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku tha se e mbështet dhe e mirëpret dekretin dhe qëndrimin e Osmanit.
Ndër tjera, Abdixhiku tha se ndonëse zgjedhjet e reja nuk ishin alternativë e LDK-së, janë të gatshëm të marrim pjesë në konsultimet për caktimin e datës së zgjedhjeve dhe t’i drejtohen qytetarëve.
Njëherit, Abdixhiku e akuzoi VV-në për dëshirë për kapjen e pozitave shtetërore.
“Zgjedhjet nuk ishin asnjëherë alternativa e preferuar e LDK-së. Përkundrazi, ato ishin krejt të panevojshme dhe lehtësisht të shmangshme. Fatkeqësisht, apetitet për kapje njëpartiake të të gjitha pozitave shtetërore parandaluan çdo kompromis eventual. Tani vendimi i takon qytetarëve të Republikës së Kosovës. Në demokraci, fjala e fundit gjithmonë i takon sovranit”, tha ai.